1. Zonat e hapura për aktivitete të zhytjes sportive:
a) Gjiri i Vlorës, zona nga Tuneli deri Jonufër: deri në 500 m nga bregu;
b) Zona e Karaburunit nga Raguza I deri në Shën Jan: deri 500 nga bregu;
c) Zona e Dhërmiut: 500 m nga bregu;
d) Gjiri i Himarës: 500 m nga bregu;
e) Bregu i Lukovës: deri 500 m nga bregu;
f) Plazhi i Bunecit: deri 500 m nga bregu;
g) Gjiri i Llamanit: deri 500 m nga bregu;
h) Në veri Kepi i Paladhës: 100 m nga bregu;
i) Ksamil: 200 m nga bregu.
2. Gjatë zhytjeve duhet të vendosen bovat dhe sinjalizimet përkatëse për devijimin e mjeteve lundruese dhe që tregojnë se ka persona nën ujë. Në rastet kur zhytësit janë me kombësi të huaj, krahas plotësimit të dokumentacionit përkatës, këtë aktivitet duhet ta kryejnë në bashkëpunim me shoqatat e njohura të zhytësve shqiptarë.
3. Qendrat dhe shkollat e trajnimit për sportet ujore duhet të përmbushin kërkesat e rregullores së përgatitur nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës (Drejtoria e Përgjithshme Detare) dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, sipas pikës 9 të vendimit.
4. Siguria e aktiviteteve për zhytje sportive është nën përgjegjësinë e personit të autorizuar për ofrimin e këtij shërbimi (qendra apo shkolla e autorizuar). Aktivitetet e zhytjes lejohen vetëm gjatë orëve të ditës dhe deri në atë thellësi maksimum që nuk përfshihet në kërkesat e dekompresionit.
5. Pasuritë e fundit të detit janë pronë e shtetit shqiptar. Ndalohet zhytja në zonat nënujore me vlera historike dhe mbetje arkeologjike, si dhe në anijet dhe objektet e mbytura, të cilat mbrohen sipas ligjit nr. 9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, dhe konventave ndërkombëtare të ratifikuara.
6. Ndalohet përdorimi i pushkëve nënujore nëse përdoren së bashku me respiratorë nënujorë (autorespirator) apo natën nga perëndimi deri në agim.
7. Ndalohet përvetësimi i objekteve me vlera arkeologjike, historike dhe kulturore të nxjerra nga fundi i detit. Personat fizikë ose juridikë që gjejnë në mënyrë të rastësishme ose jo objekte të tilla, janë të detyruar që brenda 20 ditëve të bëjnë deklarimin e tyre pranë autoriteteve përkatëse vendore të Drejtorisë së Përgjithshme Detare dhe Policisë Kufitare dhe të Migracionit. Këto të fundit pas marrjes në dorëzim dhe regjistrimit të objekteve të deklaruara, bëjnë njoftimin përkatës pranë institucioneve shtetërore të specializuara përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik dhe drejtorive rajonale të kulturës kombëtare.
8. Mosdeklarimi i objekteve me vlera të trashëgimisë kulturore të nxjerra nga fundi i detit ndëshkohet sipas ligjit nr. 9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar.
9. Gjatë aktivitetit të zhytjes zbatohen të gjitha ndalimet e përcaktuara në legjislacionin që rregullon veprimtarinë e peshkimit.