Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka kënaqësinë të shikojë se tashmë Porti i Sarandës po vizitohet nga emra të fuqishëm të industrisë së Turizmit. Brenda dy javësh Porti u vizitua nga Holland America kruaziere e njohur, Starpride një tjetër emër i njohur dhe për herë të parë vjen në Shqipëri anija e famshme Queen Victoria e Kompanisë së njohur britanike Cunard, e cila operon prej më se 120 vjetësh në shërbimet trans-oqeanike. Tashmë ka ardhur koha që Porti i Sarandës duhet ti përgjigjet këtyre vizitave me shërbim profesional si kontakti i parë i Shqipërisë me këta vizitorë. Vizita të tilla edhe pse për vetëm një ditë kanë një impakt ekonomik në qytet dhe jo vetëm pasi numri i lartë i turistëve që mbajnë këto anije mundësojnë të ardhura për ekonominë lokale. Tashmë turizmi ynë nuk mund të jetë sporadik dhe i pa organizuar por profesional, i respektueshëm, i kujdesshëm dhe korrekt pasi duhen vite që këto anije të vendosin të ndalojnë në porte të tilla, por në se nuk gjejnë shërbimin e duhur largohen brenda ditës.