Prestigjozja Lonely Planet, sapo ka botuar librin më të fundit “New in Travel”, në të cilin listohen disa prej vendeve më emocionuese dhe përvojat e reja të udhëtimit nëpër botë gjatë 2016. Kjo listë është hartuar nga ekspertët e Lonely Planet të cilët kanë vendosur destinacionet më të reja në udhëtim dhe që përmbushin dëshirat e gjithësecilit.
Kjo listë e gjatë paraqet 31 destinacionet që duhet të vizitohen patjetër gjatë 2016 duke filluar me vizitën në vullkanin më të lartë në Nikaragua, Zip-line midis shkrepave dhe fushave të mbjella me duhan në Viñales apo të mrekullohen nga Louvre në Abu Dhabi. Ndër destinacione të tjera për tu parë kjo listë rradhit edhe Ishullin e Sazanit në Shqipëri.
Në hapësirën e rezervuar për Ishullin e Sazanit, Lonely Planet shkruan:
“Shqipëria ka filluar të hapë atraksione të reja në një përpjekje për të tërhequr më shumë vizitorë në brigjet e saj misterioze. Magjepsës Ishulli “fantazëm” i Sazanit, më i madhi në bregdetin shqiptar, është një destinacion i cili shërben më së miri për këtë qëllim. Kjo bazë ushtarake e periudhës Komuniste e pozicionuar në mënyrë shumë strategjike (rreth 45 minuta me anije nga Porti i Vlorës, ku takohen deti Adriatik dhe deti Jon) ka qënë bazë edhe për një nëndetëse Sovjetike. Ndërtesat e braktisura të banimit dhe një shkollë e abandonuar krijojnë një atmosferë drithëruese në këtë version mesdhetar të setit të filmit Lost. Sazani është hapur për publikun në verë 2015, tërheq vizitorët me atmosferën e tij post-apokaliptike si dhe terreni i përshatshëm për ecje në mes të pishave, me pamjen e përsosur të detit në sfond.”
Hapja e Ishullit të Sazanit është një nisëm e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për ta kthyer në destinacion turistik. Agjencia ka hartuar edhe planin e menaxhimit për këtë ishull në bashkëpunim me Conservattoire du Littoral dhe PIM Initiative në Francë.